Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sipas vendimit, e ka rrëzuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verfikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili është dërguar nga shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit.
Lajmin e ka bërë të ditur Kushtetuesja përmes vendimit të cilin ua ka dërguar mediave.
“Gjykata ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, me tetë (8) vota për dhe një (1) votë kundër, që pika 2.1 e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) në lidhje me paragrafin 2 të nenit 34 (Shqyrtimi në shkallën e parë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 të Kushtetutës dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 Mbrojtja e Pronës të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Kushtetutës.